Starton samiti i NATO, “më lehtë është të hysh në Kiev sesa në Vilnius”

Nga A2 CNN
11 Korrik 2023, 07:55 | Bota
Starton samiti i NATO, “më lehtë është të hysh

Nën masa tepër të rrepta sigurie, sot dhe nesër do të zhvillojë punimet në Vilnius të Lituanisë takimi i radhës i udhëheqësve të aleancës ushtarake të NATO-s.

Samiti zhvillohet në një kohë kritike për Europën, teksa lufta në Ukrainë ka kaluar ditën e saj të 500, ndërkohë që efektet e saj kanë lënë shenja të mëdha në ekonominë europiane.

Udhëheqësit e vendeve të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë sot dhe nesër për shumë çështje mes të cilave dhe kërkesën e Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s, si dhe dritën jeshile për anëtarësim që tashmë Turqia dha për Suedinë.

Disa ditë më parë, presidenti Biden preu shpresat e Ukrainës për një anëtarësim më të shpejtë, duke thënë se duhet pritur përfundimi i luftës. Në të njëjtin qëndrim ishte dhe Gjermania.

Përveç perspektivës së anëtarësimit, liderët e NATO-s pritet gjithashtu të zotohen për të vijuar ndihmën ushtarake dhe financiare për Kievin.

Disa media ndërkombëtare raportojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një pakt me Rusinë, përmes Kinës, duke pranuar një ndalim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO në këmbim që Putini të mos kryejë asnjë sulm bërthamor.

Për të frenuar pranimin e Kievit në aleancën ushtarake, disa vende anëtare kanë nisur tashmë të ngrenë kauzën e tyre mes shqetësimeve se anëtarësimi në këtë kohë do të përfshinte NATO-n zyrtarisht në luftë me Rusinë.

Një temë e rëndësishme që pritet të diskutohet është ajo e forcimit të mbrojtjes së NATO-s, veçanërisht kahut lindor që në pjesën më të madhe ndan një kufi me armikun.

Për mbarëvajtjen e këtij samiti, ku do të jenë të pranishëm krerët më të lartë të shteteve janë marrë masa tepër të forta sigurie, kjo edhe për shkak se distanca e Vilniusit me Rusinë nuk është shumë e largët.

Më shumë se 1000 ushtarë janë dislokuar në Lituani, teksa avionë e helikopterë shtesë do të fluturojnë në qiej, të monitoruar dhe nga njësia kundërajrore gjermane dhe raketa Patriot. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/11/samiti-i-vilniusit-rama-ndan-video-mesazhin-e-krereve-te-nato-me-te-vendosur-per-te-mbrojtur-lirine/
https://a2news.com/2023/07/10/stoltenberg-erdogan-ra-dakord-ti-hape-rrugen-anetaresimit-te-suedise-ne-nato/

A2 CNN Livestream

Latest Videos