
Duke u nisur nga situata e vështirë pandemike nxënësit e gjimnazeve këtë vit akademik vendosën që studimet t’i ndjekin pranë universiteteve të rretheve.
Ndonëse Tirana ka cilësinë më të mirë akademike, studentët janë tërhequr nga kjo zgjedhje për të ulur kostot e larta ekonomike që ka jetesa në kryeqytet.
Për herë të parë në vitet e fundit, kemi më shumë studentë që kanë qëndruar në qytetin e tyre për t’u arsimuar në universitet, sesa në kryeqytet. Këtë tregojnë të dhënat e fundit të grumbulluara nga Qëndresa Qytetare.
Ajo që nuk ndryshon është dëshira për të ikur. Studentët po përgatiten për të emigruar që në universitet, pasi lëndët që ata zgjedhin kanë prioritet për kërkesë pune në tregun e jashtëm.
Mirald Tutaj është penduar që ka zgjedhur të studiojë në Tiranë. Prej disa ditësh, ai po proteston për të zhvilluar mësim në auditor pasi është në vitin e parë të studimeve. Nëse nuk sheh rrugë zgjidhjeje, për të riun emigrimi është alternativë e radhës për të provuar.
"Nëse do të kishte universitet në Has nuk do të vija në Tiranë. Të ardhmen time e shoh jashtë shtetit sepse nuk kemi vend të mirë këtu për të menaxhuar situatën", shprehet ai.
Edhe Arjon Kuçuku po përballet me një jetesë të re e të vështirë në Tiranë. Do të kishte bërë zgjedhje tjeter nëse universitetet e rretheve do të kishin më tepër cilësi akademike.
"Këtu janë përqendruar të gjitha universitetet në Tiranë dhe cilësia është më e lartë këtu. Por nëse do të kishte cilësi në gjithë Shqipërinë do ta ndiqja fakultetin në rrethin ku jetoja, për shkak se këtu çmimet janë shumë të larta. Jetesa është e papërballueshme dhe e shtrenjtë."
Ndonëse ka një rritje të numrit të studentëve në Univeristetet e rretheve ka rënë kërkesa për degë si historia, gjeografia, matematika apo gjuhë-letërsia. (A2 Televizion)