Studenti i armatosur shkakton terror në Rusi, të paktën 6 viktima. Njerëzit hidhen nga dritaret për të shpëtuar

Nga A2 CNN
20 Shtator 2021, 09:37 | Bota

Orë tmerri në rusi. Të paktën 6 persona u vranë e mbi 20 u plagosën në një universitet të qytetit të Perm, nga një person i armatosur që sipas policisë ishte student i shkollës. Video të postuara online tregojnë agresorin teksa ecën përgjatë kampusit, para se të qëllonte me armë. Studentë dhe mësues u izoluan brenda universitetit ndërsa të tjerë u panë të hidheshin nga dritaret.

“Qëndruam për më shumë se një orë në një sallë leksionesh. Kishte rreth 60 persona atje. Mbyllëm dyert dhe i bllokuam ato me karrige dhe tavolina”, tha një dëshmitar. Universiteti i Perm postoi një mesazh në rrjetet sociale ku i kërkonte studentëve që gjendeshin në godinë të qëndronin nëpër klasa.

Policia bëri të ditur se kishte plagosur dhe më pas arrestuar autorin e ngjarjes që ndodhi në 11 të orës lokale në universitetin shtetëror të Perm. Mediat ruse raportojnë se i riu kishte përdorur një armë të projektuar për të qëlluar plumba gome ose plastike, e modifikuar për municione të tjera.

Agresori thuhet të ketë vepruar i vetëm ndërsa pretendon se nuk ka motive politike apo fetare. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se ishte i konsumuar nga urrejtja dhe se donte t’i bënte keq të tjerëve. “Kisha menduar për këtë gjë për vite me radhë dhe kuptova se kishte ardhur koha të realizoja ëndrrën”, citohet të thotë në postim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos