
Shkencëtarët në Australi pretendojnë se kanë identifikuar mënyrën se si sistemi imunitar i trupit të njeriut lufton virusin Covid-19. Studimi, i publikuar në revistën “Nature Medicine”, tregon se pacientët po shërohen nga virusi i ri, në të njëjtën mënyrë si nga gripi i zakonshëm.
Duke përcaktuar se cilat qeliza imunitare vendosen në funksion, ndihmon në zhvillimin e një vaksine, thonë ekspertët. “Ky zbulim është i rëndësishëm pasi është hera e parë ku ne kuptojmë se si sistemi ynë imunitar lufton koronavirusin e ri”, tha Katherine Kadzierska, autore e studimit.
Megjithatë, çfarë është zbuluar konkretisht? Persona të shumtë janë shëruar nga Covid-19, që do të thotë se dihej qe sistemi imunitar mund të luftojë me sukses virusin. Por për herë të parë, hulumtimi identifikoi katër lloje të qelizave imune të cilat u shfaqën duke luftuar Covid-19.
Studimi u përqendrua te një paciente që vinte nga Wuhani i Kinës, epiqendër e përhapjes së koronavirusit të ri. 47-vjeçarja u shërua brenda 14 ditëve, por 3 ditë përpara se të niste të përmirësohej, disa qeliza specifike u shfaqën në qarkullimin e gjakut.
Në pacientët me grip të zakonshëm, të njëjtat qeliza shfaqen në këtë periudhë të shërimit, shprehen studiuesit. Identifikimi i aktivizimit të këtyre qelizave imunitare mund të ndihmojë në parashikimin e rrjedhës së virusit. (A2 Televizion)