
Një lajm i mirë mund të vijë mbi kapacitetin e vaksinave të luftuar SARS-coV-2 dhe mutacionet e saj.
Sipas një studimi paraprak të Universitetit të Teksasit dhe vetë kompanisë farmaceutike Pfizer, ende në fazë përfundimi, tregon se vaksina e krijuar nga Pfizer dhe BioNTech arrin një mbrojtje efektive edhe ndaj mutacioneve më të rrezikshme të koronavirusit, atë britanik dhe afrikano-jugor.
Këto dy variante, respektivisht të njohura shkencërisht si N501Y dhe E484K, kanë shqetësuar së tepërmi komunitetin shkencor, sepse duket sikur kanë një aftësi përhapjeje më të madhe se varianti kryesor, që krijoi premisat e pandemisë.
Studimi u krye me persona që e kanë marrë vaksinën, dhe rezultatet paraprake, sipas Phil Dormitzer, një nga studiuesit më të rëndësishëm të Pfizer, janë inkurajuese.
“Kemi testuar 16 mutacione të ndryshme, dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur impakt domethënës te personat. Ky është një lajm i mirë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që një variant i 17-të, nuk do të ketë impakt”, thotë ai. Gjithsesi, të dhëna më konkrete mbi reagimin a vaksinës ndaj mutacioneve do të vijnë në javët në vijim.
Sipas studiuesve, vaksina si ajo e Pfizer dhe Moderna, që përdor teknologji si ajo e RNA-së sintetike, mund t’i përshtaten mutacioneve deri diku thjeshtësisht, në një periudhë 6-javore. (A2 Televizion)