Pse SHBA nuk sjell ambasador në Shqipëri? Ish-zyrtari i DASH: Është fatkeqësi, vëmendja është larg Ballkanit

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 20:29 | Politikë

Ish-diplomati i lartë amerikan, Jonathan Moore, ka komentuar mungesën e ambasadorëve të SHBA-së në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, duke e cilësuar këtë si një “fatkeqësi” për rajonin, në një kohë kur roli i përfaqësuesve diplomatikë mbetet thelbësor për dialogun politik dhe stabilitetin.

Në një intervistë për gazetarin Xhevahir Qardaku në Ditarin e Kosovës në A2 CNN, Moore theksoi se mungesa e një ambasadori të emëruar zyrtarisht është një luks që vendet e Ballkanit nuk mund ta përballojnë.

“Sigurisht që është e rëndësishme që të keni një përfaqësues për të folur me presidentin, kryeministrin apo edhe me vetë popullin. Është një fatkeqësi që nuk ka një ambasador në vendet që përmendët,” u shpreh Moore.

Megjithatë, ai theksoi se diplomatët aktualë, të ngarkuarit me punë, po mbajnë kontakte të rregullta me nivelet më të larta qeveritare. Por sipas tij, situata globale ka zhvendosur fokusin e Uashingtonit larg Ballkanit.

“Në vitin 1990, Ballkani kishte vëmendjen kryesore të Shteteve të Bashkuara, por sot ka shumë kriza të tjera që po ndodhin më larg Ballkanit dhe që kanë marrë pjesën më të madhe të vëmendjes,” tha Moore.

Pavarësisht sfidave, Moore beson se interesat strategjike amerikane për stabilitetin në rajon mbeten të pandryshuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos