Ish-diplomati i lartë amerikan dhe njohësi i Ballkanit, Jonathan Moore, ka këshilluar Prishtinën që të fokusohet në sigurimin e njohjeve nga vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian, në vend të përpjekjeve për njohje individuale në Afrikë apo Azi.
Në një intervistë në Ditarin e Kosovës nga Xhevahir Qardaku në A2 CNN, Moore u shpreh se mungesa e një qeverie të qëndrueshme po e bllokon dialogun Kosovë-Serbi dhe çdo mundësi të qartë për përparim në procesin e njohjes ndërkombëtare.
“Nëse do të kishte një qeveri të fortë dhe pragmatike në Prishtinë, ata duhet të punojnë me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën brenda NATO-s dhe BE-së. Fokusi duhet të jetë më pak te vendet e Afrikës apo Azisë dhe më shumë te shtetet europiane që ende nuk e kanë bërë këtë hap,” tha Moore.
Sipas tij, prioriteti duhet të jetë gjetja e gjuhës së përbashkët me Beogradin për të çuar përpara dialogun dhe për të avancuar procesin e integrimit europian. Moore theksoi se për momentin nuk ka kushte për negociata të mirëfillta për shkak të situatës politike në Prishtinë: “Nuk ka një qeveri të konsoliduar, nuk ka konsensus pas zgjedhjeve të shkurtit, ndaj nuk ka kush të negociojë tekste apo marrëveshje të reja,” shtoi ai.
Megjithatë, ish-zyrtari i DASH nënvizoi se edhe pa njohje të menjëhershme të pavarësisë nga Serbia, mund të bëhet progres përmes liberalizimit të tregtisë, lehtësimit të kufijve dhe shkëmbimeve praktike.
“Kjo do të duhej të ishte një përpjekje që Kosova duhet ta marrë vetë, pa vendosur kushte të pakapërcyeshme,” tha Moore. (A2 Televizion)