“Serbia nuk guxon ndaj Kosovës” Moore: Pengesa është Prishtina, por nuk do të ketë luftë

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 20:12 | Politikë

Ish-diplomati i lartë amerikan, Jonathan Moore, ka deklaruar se nuk sheh asnjë rrezik real për një sulm ushtarak nga Serbia ndaj Kosovës, duke theksuar se prania e NATO-s dhe KFOR-it është një faktor kyç që garanton sigurinë.

Në një intervistë për gazetarin Xhevahir Qardaku në Ditarin e Kosovës në A2 CNN, Moore theksoi se situata aktuale nuk e favorizon tensionin ushtarak:

“Unë nuk parashikoj asnjë lëvizje apo manovër ushtarake nga Serbia. Serbia është shumë e ndërgjegjshme për rolin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë,” u shpreh ai.

Sipas tij, problemi real për bllokimin e procesit të dialogut qëndron në Prishtinë:
“Pengesa e vetme për progresin në këtë pikë është në Kosovë. Serbia i ka përmbushur shumë prej pritshmërive për dialogun, ndoshta jo të gjitha. Mungesa e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin Kosova ra dakord që në vitin 2013, mbetet një çështje e hapur,” tha Moore.

Ai shtoi se mungesa e stabilitetit politik në Prishtinë e pengon përparimin: “Kosova nuk ka parlament të ri, nuk ka kryetar kuvendi dhe opozita nuk po bashkohet. Me shumë gjasa do të ketë zgjedhje në tetor, por deri atëherë nuk shoh projekt serioz për dialogun.”

Moore theksoi se pavarësisht krizës politike, nuk ka vend për panik: “KFOR-i është aty dhe nuk do të ketë luftë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos