
Autoritetet shëndetësore në Kinë publikuan detajet e para të mbi 70 mijë rasteve me virusin Covid-19, në studimin më të madh që prej shpërthimit të epidemisë. Të dhënat nga qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në Kinë, tregojnë se mbi 80 përqind e rasteve kanë qenë të lehta, ndërsa të moshuarit dhe personat me probleme të tjera shëndetësore janë më të rrezikuarit.
Raporti tregojnë se përqindja mesatare e vdekjeve nga virusi është 2.3 përqind. Të dhënat e publikuara nga Kina, shtynë OBSH të pohonte se nuk do ta rriste nivelin e rrezikut global nga koronavirus.
“Sot Kina publikoi një raport më të dhëna të detajuara për mijëra raste me COVID-19. Të dhënat na ndihmojnë të kuptojmë më mirë rrezikshmërinë dhe nivelin e vdekshmërisë. Rreziku për përhapje është i lartë, por jo për një pandemi”, tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Studimi, ve në dukje edhe rrezikun e madh me të cilin përballet stafi mjekësor. Një total prej mbi 3 mijë mjekësh janë infektuar, dhe 5 prej tyre kanë vdekur deri në 11 shkurt. Të martën, drejtori i një spitali në Wuhan humbi jetën si pasojë e virusit.
51-vjeçari Liu Zhiming, ishte drejtori i spitalit Wuchang, një prej kryesorëve në epiqendrën e virusit. Ai është një prej zyrtarëve më të lartë të shëndetësisë nga epidemia. Autoritetet kineze thanë se 98 vdekje dhe 1886 raste të reja me virus u shënuan të hënën ndërsa bilanci total është mbi 1860 viktima dhe 72,436 raste të prekura, ndërkohë që 12 mijë veta vlerësohet të jenë shëruar. (A2 Televizion)