Një natë zjarri në të dyja kahet e luftës në Ukrainë. Rusia ndërmori një sulm masiv me dronë dhe raketa në Kiev, më I rëndi që prej pranverës sipas autoriteteve atje, duke vrarë të paktën dy persona e duke plagosur disa të tjerë. Sulme me raketa u raportuan edhe ne qytetin jugor të Odesës, në Dnipropetrovsk dhe Cherkasy.
Sirenat e alarmit ranë në të paktën 7 rajone. Shpërthime të forta shkundën kryeqytetin Kiev, ku një sërë godinash morën flakë, pas rënies së mbetjeve raketore.
Kryebashkiaku Vitali Klitchko bëri të ditur se viktimat ishin dy burra të cilët u gjetën në godina jo rezidenciale ne zonën e Shevchenkivskyi.
Sipas autoriteteve, të paktën 28 raketa e 15dronë u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore gjatë natës.
Në shënjestër u vunë gjithashtu anijet ushtarake të Ukrainës në detin e zi, me Moskën që raportoi se kishte shkatërruar 4 të tilla, duke vrarë edhe dhjetëra ushtarë. Por nuk ishte vetëm Ukraina që pati një natë të vështirë.
Gjithashtu Rusia u përball me një valë masive të sulmeve me dronë gjatë natës, që shënjestruan të paktën 6rajone, nga jugu ne veriperëndim. Video të postuara në mediat sociale, tregojnë pamje dramatike, me qiellin e natës që ndriçohet nga shpërthimet.
Agjencitë ruse të lajmeve bënë me dije se një aeroport në qytetin veri-perëndimor të Pskov u godit nga të paktën 10 dronë, që dëmtuan 2 avionë transporti Ilyushin 76.
Ushtria e Moskës tha se kishte rrezuar 3 dronë ukrainas mbi rajonin jugor të Briansk, dhe një mbi rajonin qendror të Oryol. Një prej dronëve të interceptuar në Brainsk kishte në shënjestër një kullë televizive.
Agjencia e lajmeve Tass, raportoi se hapësira ajrore mbi aeroportin e Vnukovos në Moskë ishte mbyllur. Me fluturimet që u pezulluan edhe në Domodedovo dhe Sheremetyevo. (A2 Televizion)




