Sulm në Tel Aviv, automjeti hyn mes turmës, vritet shtetasi italian

Nga A2 CNN
8 Prill 2023, 14:08 | Bota
Sulm në Tel Aviv, automjeti hyn mes turmës, vritet shtetasi italian

Pas sulmeve më raketa, Izraeli shënjestrohet nga ai që autoritetet e cilësuan akt terrorist. Një shtetas Italian u vra dhe 7 të tjerë u plagosën, pasi një automjet përplasi me shpejtësi turmën e njerëzve që po shëtiste pranë një plazhi në Tel Aviv.

Ministria e jashtme Italiane tha se Izraeli e kishte identifikuar burrin si 36-vjeçarin, Alessandro Parini. Kryeministrja Georgia Meloni shprehu dhimbjen e thellë, siç tha, për vdekjen e Parinit, dhe e cilësoi këtë si një sulm frikacak. Mediat italiane raportuan se 36-vjeçari punonte si avokat në Romë. Sakaq një mjek, tha për televizionin izraelit se të plagosurit, të gjithë turistë, përfshinin 3 shtetas britanik dhe një tjetër italian.

“Iu përgjigja thirrjes për sulm terrorist me automjet këtu në bulevard në Tel Aviv në rrugën Herbert Samuel. Kuptuam më vonë se 8 persona ishin plagosur dhe njëri prej tyre fatkeqësisht ndërroi jetë. 3 kanë marrë plagë më të rënda”, tha një pjesëtar forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Polica lokale tha se agresori i mundshëm ishte qëlluar për vdekje nga efektivët. Ai është identifikuar si Yousef Abu Jaber nga Kafr Qasim, një qytet izraelito-arab. Siç u bë e ditur në orën 21 e 25, një 45 vjeçar, në drejtimin e një automjeti të llojit KIA, hipi në trotuarin përgjatë detit, duke shkelur disa kalimtarë para se vetura të përmbysej në një zonë më bar.

Një efektiv që gjendej në një pikë karburanti aty pranë vrapoi në vendin e ngjarjes dhe neutralizoi agresorin. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mobilizoi policinë dhe rezervistët e ushtrisë, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar terrorizmin.

Më herët gjatë së premtes dy motra britaniko-izraelite u vranë dhe nëna e tyre u plagos gjatë të shtënave në bregun e pushtuar perëndimor. Sulmet vijnë pak pasi Izraeli shënjestroi pozicione të Hamasit në Libanin jugor dhe Rripin e Gazës, mes tensioneve në rritje si pasojë e mësymjes policore ne xhaminë e Al Akses.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos