
Ashtu si koronavirusi u përhap me ritme më të shpejta duke infektuar qytetarët, edhe sulmet kibernetike u zgjeruan edhe më tej gjatë vitit të shkuar. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se krimet kompjuterike gjatë 2021-shit u rritën me 126 për qind krahasuar me vitin 2020.
“Shkaku kryesor është pandemia. Duke qenë se pjesa më e madhe e punonjësve po punojnë nga shtëpia, mbrojtja e pajisjeve është shumë më e vështirë. 95% e rasteve të krimit kibernetik kanë të bëjnë me pakujdesinë e përdoruesve”, shprehet Besmir Semanaj, ekspert IT.
Megjithëse të rritura, ekspertë të teknologjisë së informacionit tregojnë se këto shifra nuk janë gjithëpërfshirëse, pasi pjesa më e madhe e sulmeve kibernetike nuk raportohen.
Nga të dhënat rezulton se shumica e sulmeve kibernetike, përfshirë ato kompjuterike ndodhin në biznese të mesme e qytetarë, ndërsa në rreth 90 për qind të rasteve autori mbetet i paidentifikuar.
Rreziku i shtuar ndaj qytetarëve nga krimet kibernetike u diktua edhe në reportazhin e titulluar, “Shqipëria, e pambrojtur ndaj sulmeve kibernetike” në bashkëpunim me Investigative Network Albania, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve. (A2 Televizion)