
I ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, Luçiano Boçi, nënkryetar i PD, komentoi ngjarjen e rëndë të një dite më parë të sulmit fizik ndaj Sali Berishës.
Ai bëri të ditur se kreu i PD është në gjendje të mirë shëndetësore pas ngjarjes. “Gjendja shëndetësore është normale, nuk ka komplikacione për shkak të goditjes. Aktiviteti i tij politik është intensiv dhe vazhdon edhe në këto momente”, tha Boçi.
Më tej, nënkryetari i PD ngriti akuza se prokuroria po tenton të mjegullojë ngjarjen.
“Prokuroria me veprimet e saj vendos hije dyshimi mbi mënyrën sesi u realizua ngjarja kriminale sepse ka disa vonesa të pajustifikuara, sikurse ka brenda saj edhe thirrje të pajustifikuara të personave që gjoja kanë qenë dëshmitarë apo pjesëtarë të ngjarjes post.
Më duket se kjo është një tentativë për ta mjegulluar ngjarjen, për të fituar kohë dhe ndoshta edhe për të realizuar një situatë të mundshme siç ka ndodhur shpesh me rastin e Laerit apo me rastin e Rashës, kur provat janë falsifikuar nga policia dhe ka dalë një raport krejt ndryshe dhe prokuroria nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Boçi. (A2 Televizion)