Më 18 prill bota e futbollit europian pësoi një natë shokuese, aty ku 12 nga klubet më të njohura i deklaruan “luftë” UEFA-s, duke shpallur lindjen e një kampionati alternativ, Superliga.
Por pas disa ditë tensioni të ashpër, ku presidenti i UEFA Alexander Ceferin kërcënoi ekipe të kalibrit të Barcelona dhe Real Madrid, Juventus dhe Milan, Manchester City dhe Liverpool për përjashtim nga Champions League por edhe nga kampionatet kombëtare, një nga një pjesa më e madhe e ekipeve u tërhoq, madje duke kërkuar falje.
Por si ka mundësi që ekipe që përbëjnë praktikisht të gjithë aristokracinë e futbollit, si dhe pronarët e tyre miliarderë, pranuan kaq thjeshtësisht të hynin në një “valle” që do të përfundonte në një disfatë të tillë?

Një artikull i publikuar sot në New York Times hedh një dritë të re, dhe ndoshta edhe më të bujshme për çka ndodhi.
Sipas gazetës prestigjioze, ekipet firmëtare të Superligës jo vetëm kishin aprovimin, por edhe bashkëpunimin e fortë të FIFA, organizmi më i lartë i futbollit botëror. Sipas NYT, prania e FIFA citohet edhe në kontratën e themelimit, ku parashikohet një entitet aty i cilësuar si W01, pa aprovimin e të cilit Superliga nuk mund të operonte dhe që mund të identifikohet thjeshtësisht si FIFA.
Por nuk mbetet me kaq, sepse sipas gazetës amerikane kreu i FIFA, Gianni Infantino, është takuar disa herë me Anas Laghari, mik i ngushtë i presidentit të Real Madrid Florentino Perez, mendja e vërtetë e projektit Superliga. Sipas Lagharit, Infantino ishte dakord për projektin që do sillte miliarda euro në kasat e FIFA, qysh nga vera e 2020-ës.
New York Times vijon duke treguar se në 21 janar, Ceferin i cili kishte nuhatur diçka, kishte kontakuar Infantinon, i cili e kishte përgënjeshtruar pjesëmarrjen.
Reagimi i ashpër i UEFA pas 18 prillit, kur gjithçka u bë publike, vinte edhe nga vetëdija që pas ekipeve rebele fshihej organizmi kryesor i futbollit, gjithmonë e më rival me organizmin europian. (A2 Televizion)