“Jemi të fortë, do të luftojmë”, gazetari shqiptar beson te surpriza kundër Polonisë

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 23:03 | Futboll

“Jemi të fortë, do të luftojmë”, gazetari

Gazetari i MegaSport në A2 CNN, Altin Sulçe, intervistë për median polake “Weszlo”

Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Poloninë në PGE Narodowy në gjysmëfinalen e Play Off-it të Botërorit 2026, më 26 mars. Fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë finalen në transfertë kundër Ukrainës ose Suedisë. Në Poloni konsiderohet se të besuarit e Jan Urbanit janë favoritë, por gazetari dhe analisti televiziv shqiptar, Altin Sulçe, mendon ndryshe.

“Sinqerisht shpresoja të na binte Sllovakia nga vazo e dytë, sepse do të ishte më e lehtë. Por edhe pse Polonia është kundërshtar i fortë, Shqipëria ka mundësi reale për të bërë surprizë,” u shpreh Sulce për Weszło. “Nuk do të shkojmë në Varshavë pa shpresë.”

Shqipëria pa frikë në Varshavë: “Jemi të fortë si ekip”

Gazetari thekson se luajtja në transfertë është disavantazh i madh për Shqipërinë, por beson në mbështetjen e tifozëve edhe në Poloni.

“Do të doja shumë që ndeshja të luhej në shtëpi. Ne humbasim shumë kur nuk kemi stadiumin tonë. Gjithsesi, pres një numër të madh tifozësh shqiptarë në Varshavë, nga Shqipëria dhe diaspora. Ky është një moment historik – ne kurrë nuk kemi luajtur në një Botëror,” u shpreh ai. “Shpresoj që ata të jenë dëshmitarë të befasisë.”

Sulçe lavdëron punën e trajnerit Sylvinho, i cili debutoi pikërisht në Poloni dhe më vonë arriti fitoren 2-0 në Tiranë.

“Polonia ka lojtarë më të mëdhenj në klube më të forta, kjo është e vërtetë. Por ne kemi mentalitet shumë të fortë, sidomos pas fitores historike 1-0 në Beograd kundër Serbisë. Shqipëria do të luftojë deri në fund për këtë Botëror.”

Lojtarët që rrezikojnë Poloninë: Nga Mitaj te Shehu

Sulçe ndalet te disa prej pikave të forta të kuqezinjve:

Mario Mitaj – mbrojtësi i majtë i Al-Ittihad, që luan krah Benzemasë dhe Kantés.

Berat Djimsiti – lider i mbrojtjes, fitues i Ligës së Europës me Atalantën.

Elseid Hysaj – një emër i konsoliduar në Serie A, tani te Lazio.

Kristjan Asllani dhe Juljan Shehu – dy mesfushorët që sipas tij kanë inteligjencë të jashtëzakonshme loje.

“Shehu është futbollist fantastik, ndoshta më pak i përmendur se Asllani, por me pak diferencë në nivel. Ai mendon shpejt, lexon aksionin, është lojtar kyç.”

Problemi i sulmit dhe shpresa te Broja

Sulçe pranon se Shqipëria ka probleme me golat: vetëm 7 në 8 ndeshje eliminatore.

“Nuk kemi pasur kurrë një sulmues të nivelit të Lewandowskit. Por ende besojmë te Armando Broja. Pësoi një dëmtim kundër Anglisë, vuajti në fushë, por fatmirësisht nuk ishte i rëndë. Deri në mars ka kohë. Kush e di? Ndoshta do të shfaqet një emër i ri që do t’i japë sulmit tonë më shumë fuqi.”

Shqipëria shkon në Varshavë pa kompleks inferioriteti dhe me bindjen se çdo gjë është e mundur në një ndeshje teke. “Do të luftojmë,” përfundon Sulçe. “Jemi të fortë si ekip.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos