
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ka pranuar raportimet zyrtare lidhur me vdekjen e shtetasit të Kosovës, Selim Voca, i cili ka humbur jetën pas një aksidenti me tren në qytetin Aleksinac, në Serbi.
Sipas MPJD-së, Voca ishte raportuar si person i zhdukur më 19 nëntor 2025 nga bashkëshortja e tij në stacionin policor në Mitrovicë, Jug. Autoritetet serbe kanë konfirmuar se trupi i pajetë i të ndjerit aktualisht ndodhet në Spitalin e Nishit.
Institucionet e Kosovës, në koordinim me MPJD-në, janë angazhuar për të mundësuar sa më shpejt kthimin e trupit të viktimës në Kosovë. Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët dhe autoritetet serbe për të ofruar asistencën e nevojshme dhe për të lehtësuar të gjitha procedurat e kërkuara.
MPJD ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, duke trajtuar rastin me seriozitet dhe urgjencë të plotë./REL (A2 Televizion)
