Superman shfaqet si biseksual

Nga A2 CNN
12 Tetor 2021, 12:28 | Lifestyle

Që prej daljes në librat e parë vizatimorë 80 vite më parë, Superman ka bërë shumë gjëra. Ka shpëtuar botën disa herë. Ka vdekur dhe është rikthyer në jetë. Ka shmangur grushtet e Muhammad Ali dhe madje është përballur edhe me supremacistët e bardhë.

Deri këtë vit, ai gjithmonë është portretizuar si i dashuruar me Lois Lane. Por në serinë e re që del së spejti, Superman futet në një marrëdhënie intime me një djalë. Në fakt, bëhet fjalë për djalin e Clark Kent dhe Lane, Jon Kent, i cili përveç se vesh petkun e babait si superheroi që mbron të dobëtit, bie në dashuri me gazetarin Jay Nakamura.

Edhe pse seria e re e librave del në nëntor, janë publikuar disa foto të Jon Kent duke u puthur me partnerin e tij. Autori i serisë, Tom Taylor, thotë se evoluimi i Superman është bërë duke ruajtur vlerat që ai ka përfaqësuar gjithmonë, por pasqyron edhe përvojën e shumë fansave të tij. “Superman gjithmonë ka qenë simbol i shpresës, të vërtetës dhe drejtësisë”, tha Taylor. “Sot, akoma më shumë njerëz e shohin veten te superheroi i fuqishëm”.

Në botën e librave vizatimorë, Superman nuk është i vetmi personazh me prirje homoseksuale. Robin, ndihmësi i ngushtë i Batman, shfaqet në një episod ku pranon ftesën e një mashkulli për takim, ndërsa Batwoman krijon një lidhje dashurie me një femër tjetër, sikurse Harley Quinn braktis Joker për t’u lidhur me Poison Ivy. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos