Tabaku në SPAK për inceneratorët: Prokurorët bëjnë mirë që janë hermetikë. 60 të përfshirë në skemë, kryeministri duhet të kishte dijeni

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2022, 13:14 | Politikë
Tabaku në SPAK për inceneratorët: Prokurorët bëjnë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se mbështet Prokurorinë e Posaçme në punën që po bën në drejtim të zbardhjes së asaj që opozita e quan afera e inceneratorëve. Ajo ishte për rreth 3 orë në SPAK ku u mor në pyetje lidhur me çështjen, pasi ka qenë edhe kryetare e komisionit të posaçëm parlamentar që u ngrit për procedurat e ndjekura nga qeveria dhe autoritetet lokale për kontratat e impianteve të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

“Është një skemë e mirëfilltë kriminale dhe një grup i strukturuar kriminal. Këtë kërkesë ia kam bërë edhe prokurorëve. Prokurorët bëjnë mirë që janë kaq hermetikë. Është e drejtë që ka shumë interes të madh publik, sepse është skema më e madhe korruptive në vendin tonë. Por nuk mund të them më shumë”, tha Tabaku.

“Janë mbi 60 persona si të përfshirë në skemën e inceneratorëve. Ne kemi përfshirë kryeministrin e Shqipërisë i cili duhet të kishte dijeni për aktivitetin e këtij grupi dhe përgjegjësi kryesor për ne është qeveria shqiptare. Besoj se është e qartë për të gjithë publikun përgjegjësia e ndarë e të gjithëve. Dua ta inkurajoj SPAK-un të lëvizë aty ku ka pushtet. Nuk më keni parë ta sulmoj, dua ta inkurajoj që të vazhdojë punën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos