Berisha: Nuk pajtohemi me etiketimet ndaj refugjatëve shqiptarë, falënderojmë mbretin Charles për ndërhyrjen

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2022, 12:22 | Politikë
Berisha: Nuk pajtohemi me etiketimet ndaj refugjatëve shqiptarë,

Sali Berisha tha se numri i shqiptarëve që shkojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe është shqetësues, por shprehu zhgënjim për etiketimet ndaj refugjatëve shqiptarë në ishull.

“Gjatë një viti, ky fluks ka mbërritur në 12 mijë, nga 800 që ishte në vitin 2021. Pa dyshim, kjo përbën një situatë serioze shqetësuese dhe polemika është e kuptueshme dhe e pashmangshme. Duke mos u pajtuar me asnjë etiketim ndaj refugjatëve shqiptarë nga mediat dhe politikanët, PD-ja falënderon mbretin Charles për ndërhyrjen e tij”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Kryetari i PD-së e quajti si të papërgjegjshme deklaratën e Edi Rramës ku fajëson autoritetet britanike, duke treguar me gisht konservatorët britanikë. “PD-ja fton qeverinë, parlamentin dhe forcat politike të MB, të ndalen dhe të analizojnë shkaqet e vërteta të shndërrimit të shqiptarëve në popull të gomoneve nga qeveria e Edi Ramës. Kjo do i ndihmojë të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh në Shqipëri”, tha Berisha.

“PD-ja deklaron se shkaku kryesor i shpopullimit të Shqipërisë është:

- Votimi fiktiv i shqiptarëve përmes dhunimit masiv të zgjedhjeve nga Edi Rama. Me zgjedhjet fiktive, Edi Rama ka vrarë shpresën te shqiptarët se pushteti mund të ndërrohet me votë.

-Vendosja e monizmit absolut falë votimit fiktiv. Sot, Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet në vend. Me reformën sorosiane ai ka në kontroll të plotë sistemin e drejtësisë. Ai kontrollon 10 për qind më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në Shqipëri.

-Lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin dhe drogën dhe zëvendësimin e shtetit ligjor me të parin narkoshtet në Europë.

-Vjedhja e fondeve dhe pasurive publike dhe vendosja e sistemit të korrupsionit në vend. Me sistemin korruptim dhe vjedhjen e fondeve të vendosur nga Edi Rama, punët publike në Shqipëri kushtojnë 7-10 herë më shumë se në vendet e BE-së.

Vetë Edi Rama mori detyrën si kryeministër, i akuzuar nga prezenca e OSBE në Tiranë se ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro dhe për këtë akuzë, Edi Rama nuk reagoi kurrë me asnjë formë kundërshtimi.

-Edi Rama jeton sot si kryeministri më i kushtueshëm në Europë. Ai ka realizuar me çartera 137 fluturime, përfshi këtu fluturime për të ndjekur ndeshje futbolli në Florida apo vakanca luksoze.

-Varfërimi progresiv i shqiptarëve nga politikat e Edi Ramës është shkak tjetër kryesor i shpopullimit të Shqipërisë. Në vitin 2013, shqiptarët kishin rrogën më të lartë në rajon, sot ata kanë rrogën më të ulët në rajon, 15-20 për qind më të ulët se Kosova, kurse çmimet e produkteve ushqimore janë 7 deri në 10 për qind se mesatarja e vendeve të BE-së, nafta shitet si në Zvicër dhe Gjermani.

-Së fundmi, një rol të padiskutueshëm luan herë-herë edhe korrupsioni politik ndërkombëtar për të siguruar mbështetje për regjimin monist të Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos