Tabaku: Popullsia është tkurrur me 2.5% në 8 vite, shqiptarët punojnë më pak dhe taksohen më shumë

Nga A2 CNN
24 Gusht 2021, 11:44 | Politikë
Tabaku: Popullsia është tkurrur me 2.5% në 8 vite,

Deputetja e zgjedhur demokrate Jorida Tabaku ka denoncuar sot shpopullimin e vendit, uljen e punësimit dhe taksimin e lartë. Referuar të dhënave të INSTAT-it, Tabaku shprehet se nga viti 2013 e deri më tani popullsia ka rënë me 2.5% në 8 vite, ndërkohë që numri i të punësuarve nga mosha 15-64 vjeç vazhdon të bjerë.

“Faktet janë përherë më të mira se sa ëndrrat, shprehej dikur Churchill. Shqipëria vazhdon të boshatiset ndërkohë që qeveria i mbush mendjen shqiptarëve se është kthyer në kamerdaren e shpëtimit të tyre.  Të dhënat e punësimit të INSTAT raportojnë jo vetëm një ulje të punësimit për shqiptarët nga mosha 15-64 vjeç por demaskojnë dhe qeverinë përmes politikës së shpopullimit të Shqipërisë. Nëse do të bëjmë një krahasim mes numrit të popullsisë të aftë për punë nga viti 2013 e deri më tani do të shohim se ajo ka rënë me 2.5% në 8 vite. Ndërkohë që numri i të punësuarve nga mosha 15-64 veç vazhdon të bjerë”, shkruan Tabaku.

Sipas saj kjo është një kambanë alarmi që tregon plakjen e popullsisë dhe qeveria nuk ka asnjë alternativë shpëtimi.

“Shifrat janë një kambanë alarmi për një vend që po plaket dhe për këtë qeveria nuk ka asnjë alternativë reale për ta shpëtuar. Shifrat e ekonomisë janë një tregues që duhet të shqetësojë çdokënd. Ulja e numrit të punësuarve do të thotë më pak para në xhepat e shqiptarëve, më shumë varfëri. Për një ekonomi që 40% e saj është informale, më e larta në rajon, ku papunësia është ndër më të lartat në rajon dhe ku emigrimi është më i larti në rajon dhe më gjerë. Shenjat janë tejet shqetësuese. Numri i shqiptarëve që do të jetojnë me nën 5 $/frymë pritet të rritet. Numri i shqiptarëve që mund të largohen për të kërkuar një jetë të mirë jashtë kufijve të Shqipërisë pritet të rritet.  Ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë vizion dhe asnjë politikë për të rikthyer mundësinë dhe shpresën këtu. Shqipëria është kthyer në një burg të madh ku askush nuk po kërkon më të qëndrojë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos