
Ishte një telefonatë serioze që zgjati mbi dy orë. Gjatë bisedës nuk munguan dhe momentet e tensionit, me liderët e dy superfuqive globale që shkëmbyen paralajmërime për çështjen e Tajvanit. Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha homologut kinez, Xi Jinping, se kundërshton me forcë çdo lëvizje të njëanshme për të ndryshuar statusin e ishullit. Por politikat e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin nuk kanë ndryshuar, konfirmon Shtëpia e Bardhë.
“Ata shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimet globale që ajo ka. Dhe më pas për Tajvanin, Presidenti Biden theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Tajvanin”, tha Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Kina njoftoi se Xi Jinping i kërkoi Bidenit që t'i përmbahej parimit të një Kine të vetme, duke e paralajmëruar atë se “kushdo që luan me zjarrin do të digjet”. Tensionet mbi këtë çështje janë rritur ndjeshëm, mes një plani të përfolur për një vizitë të mundshme të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi, në Tajvan.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se zonja Pelosi nuk ka njoftuar ndonjë udhëtim, por Kina ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse ajo do të vazhdonte me një vizitë të tillë. Javën e kaluar, Biden u tha gazetarëve se “ushtria mendon se nuk është një ide e mire”, por Shtëpia e Bardhë e ka quajtur retorikën kineze kundër çdo udhëtimi të tillë “qartësisht të padobishme dhe jo të nevojshme”. Pelosi, e cila është e radhës për presidencën pas zëvendëspresidentit, do të ishte politikania më e lartë amerikane që do të udhëtonte në Tajvan që nga viti 1997.
Gjatë bisedës telefonike të së enjtes, Biden dhe Xi diskutuan gjithashtu për një takim të mundshëm ballë për ballë, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden, duke e përshkruar shkëmbimin e mendimeve si “të drejtpërdrejtë” dhe “të ndershëm”. Lidhur me Tajvanin ka tensione të vazhdueshme, pasi Kina e sheh shtetin ishull si një provincë të shkëputur që duhet bashkuar me “atdheun” dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë. (A2 Televizion)