“Presidenti ka futur në ngërç Kushtetuesen”, Bardhi: Është marrë peng betimi i Asim Vokshit

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2025, 12:05 | Politikë

“Presidenti ka futur në ngërç Kushtetuesen”,

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka lëshuar akuza të ashpra ndaj presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke thënë se ka futur në ngërç Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Bardhit, kreu i shtetit prej 47 ditësh ka marrë peng procedurën e betimit të gjyqtarit kushtetues Asim Vokshi.

“Presidenti i Republikës prej 47 DITËSH ka marrë peng procedurën e betimit dhe fillimit të detyrës të gjyqtarit kushtetues të zgjedhur Asim Vokshi, duke futur në ngërç kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese.

Kjo sjellje e Presidentit të Republikës, pa dhënë asnjë shpjegim publik të arsyeshëm, është një tjetër dëshmi se ai e ka humbur me kohë rolin e tij si Kryetar i Shtetit dhe garant i Kushtetutës.

Ndërkohë që nuk pritet asnjë reflektim nga Bajram Begaj, apeloj Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese të reagojnë menjëherë ndaj kësaj përdhosjeje që po i bëhet autoritetit të dy gjykatave më të larta në vend nga një njeri tërësisht i papërgjegjshëm, i marrë peng nga Edi Rama për aferat e tij të paligjshme dhe korruptive, qoftë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ashtu  edhe si President i Republikës”, shkruan mes të tjerash Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos