
Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua këtë të enjte me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike, si Damian Gjiknuri nga PS, Jorida Tabaku nga PD dhe Monika Kryemadhi nga Partia e Lirisë.
Edhe pse nuk u prononcua për gazetarët pas tij, në një reagim të ambasadës u zbuluan detaje nga takimi.
“U diskutua kërcënimi serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosja që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Takimi u mbajt një ditë pasi në një raport të inteligjencës amerikane mbi paratë ruse në partitë politike në Europë, u përmend edhe rasti i 500 mijë dollarëve të kaluara nga Rusia drejt Partisë Demokratike në vitin 2017. Kreu i atëhershëm i PD, Lulzim Basha, i hodhi poshtë pretendimet, por anëtarë të tjerë të partisë bënë thirrje për transparencë. (A2 Televizion)