
Në Samitin e Berlinit, ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Rama pati një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilës i kërkoi mbështetje për çeljen e negociatave me BE, një vendim që i takon Këshillit Europian në muajin qershor, ndërsa në maj pritet rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian.
Në njoftimin që shpërndau zyra e shtypit e Kryeministrisë, theksohet se në takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Domosdoshmëria e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve ishte po ashtu pikë e rëndësishme në takimin Rama-Merkel. (A2 Televizion)