
Edhe në ditët e fundit të afatit për vetëdeklarimin e pronës, pensionistët janë më të interesuarit ndaj këtij procesi. Referuar ligjit, besojnë se do të përjashtohen nga taksa e pronës ashtu si në dy tarifat e tjera.
Por në disa raste pensionistët e pësojnë nga ligji, më shumë se sa përfitojnë prej tij. Ata janë kryefamiljarë, jetojnë dhe të vetëm, por taksa për ndërtesën nuk bazohet në certifikatën e gjendjes civile, por atë të pronës. Kjo do të thotë se shumë prej tyre e kanë të regjistruar banesën edhe në emër të fëmijëve.
50 mijë banorë të Tiranës kanë kryer vetëdeklarimin e pronës, një shifër e ulët krahasuar me 190 mijë abonentë që ka Ujësjellësi i Tiranës. Deri në 30 tetor, me një kartë identiteti, certifikatë pronësie, kontratë shitje apo akt privatizimi nga ALUIZNI si dhe me librezën e ujit mund të bëni deklarimin e pronës në 14 pikat e UKT në kryeqytet. Pas kësaj date nis verifikimi në terren nga grupet e punës për çdo sipërfaqe banese, dyqani apo garazhi.
0.05% e vlerës së shtëpisë, e ndarë sipas zonave në kryeqytet, do të jetë taksa e pronës. Ajo do të paguhet nga viti i ardhshëm në faturën e ujit, e ndarë në 12 muaj. (A2 Televizion)