
Pas disa vendimeve të çuditshme që nga marrja e pushtetit, talebanët kanë vendosur t’i shpallin luftë dhe muzikës.
Dhjetëra instrumente muzikore u dogjën gjatë së shtunës në provincën e Heratit, nën pretekstin se muzika shkakton “korruptim moral” dhe për këtë arsye duhet të ndalohet.
Ky është akti i fundit që ka shkaktuar zemërim te popullsia afgane, pjesa më e madhe e të cilëve e cilësojnë këtë vendim si “gjenocid kulturor dhe vandal”
“Njerëzve në Afganistan po u mohohet liria artistike. Djegia e instrumenteve muzikore në Herat, është një shembull i vogël i gjenocidit kulturor që ka marrë udhë në Afganistan nën udhëheqjen e talebanëve”, u shpreh themeluesi në ekzil i Institutit Kombëtar të Afganistanit, Ahmad Sarmast.
Menjëherë, shkollat e muzikës “heshtën” në të gjithë vendin, ndërkohë që dasmat dhe ceremonitë e tjera të gëzueshme, prej muajsh tashmë zhvillohen në qetësi.
Dora e ashpër censuruese e talebanëve ndaj kulturës, duket se u parashikua nga shumë muzikantë që kur ata morën pushtetin pasi një pjesë e madhe e tyre u larguan nga vendi që në ditët e para të gushtit 2021.
Ato që e ndjenë më shumë ashpërsinë e regjimit të talebanëve ishin gratë, të cilat u ndaluan të shkojnë në shkolla dhe të dalin në rrugë pa veshjen tradicionale islamike apo të pashoqëruara nga një i afërm. Gjithashtu, ato nuk lejohen që të shkojnë në palestra apo parqe publike. (A2 Televizion)