
Pandemia Covid-19 bëri që shteti shqiptar të ndërmerrte një sërë masash, që nga mesazhet sensibilizuese nga autoritetet më të larta të vendit, deri tek dënime me burgim për personat që thyenin karantinën duke përhapur infeksionin.
Në atë kohë Kuvendi i Shqipërisë u angazhua në një proces blic për të ndryshuar Kodin Penal duke parashikuar dënime me burg për personat që nuk respektonin urdhrin e izolimit. Por disa nga këto dënime tashmë janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e disa neneve të Kodit penal nën argumentin se ashpërsia e tyre nuk përputhej me situatën.
“Vendet e Bashkimit Europian, kryesisht nuk kanë dispozita të tilla. Tregon një qasjen më humane të këtyre shteteve dhe një politikë penale e cila i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe nuk e shikon dënimin me burgim si një masë që duhet ndërmarrë në situata të tilla”, thotë Erida Skëndaj.
Kërkesa e Komitetit Shqiptar të Helsinkit u pranua pjesërisht ku antikushtetues u shpall neni që kishte edhe dënimin më të ashpër, deri në 8 vite burg, që i referohet veprës penale të përhapjes së sëmundjes nga pakujdesia.
“Pozitiv është fakti që neni 89/b u shfuqizua që kriminalizonte përhapjen e sëmundjes infektive nga pakujdesia. Si do të vërtetohej nëse një person ia transmetuar dikujt tjetër sëmundjen e Covid-19 pikërisht nga pakujdesia kur mund të ndante të njëjtin ambient”, thotë Skëndaj.
Miratimi i këtyre neneve u shoqërua në atë kohë me debate ndërmjet Kuvendit dhe institucionit të Presidentit të Republikës duke ndryshuar propozimin fillestar i cili parashikonte dënime disa herë më të rënda. (A2 Televizion)