
Ajo e nënës është një punë me kohë të plotë, por krahas saj shumë zonja zhvillojnë dhe një tjetër punë që paguhet.
Koronavirusi prishi shumë ekuilibra në jetën e mamave që janë në marrëdhënie pune. Hapja graduale e bizneseve, por jo e kopshteve dhe shkollave, i ndërlikon akoma më shumë punët. Migena Gega është mjeke dermatologe si dhe nënë e 2 fëmijëve.
Asaj i duhet të gjejë kohë për të përballuar si angazhimet familjare ashtu dhe ato profesionale. “Është shumë e vështirë situata e të mësuarit online të fëmijëve, punëve të shtëpisë, të gatuarit, punës sime si pedagoge, që duhet të japë mësimin onlinë. E pastaj, një herë në javë më duhet të jem këtu në klinikë për pacientët”, thotë Migena.
Kompania “call center” e Blerinës, ia mundësoi punën nga shtëpia, ku mund të kujdesej njëkohësisht për fëmijët.
“Të them të drejtën, unë e mendoja më të thjeshtë. Qenka e vështirë të punosh nga shtëpia sepse fëmijët kërkojnë vëmendjen në çdo moment. Sidomos vajza ime e vogël 5-vjeçare që është gjithë kohës aty, kërkon, pyet. Por, po ia dalim gjithsesi”, shprehet Blerina Zerdja, operatore në shërbimin e klientit në një “call center”.
Blerinës, tashmë, i duhet të gjejë një zgjidhje se ku mund të sistemojë fëmijët nëse kompania ku punon, i kërkon të rikthehet në zyrë.
Nga ana tjetër, rikthimi i dadove në familje shihet me frikën e kërcënimit nga virusi. Përballë kësaj situate, u gjend dhe Naxhilda, administratore e një biznesi që tregton suplemente ushqimore, nënë e 3 fëmijëve.
“Është vështirësi shumë e madhe për shkak se në këtë lloj biznesi kaq dinamik nuk mundesh dot ta menaxhosh nga shtëpia. Duke pasur dhe fëmijët në shtëpi, kohë të kufizuar për të komunikuar, kontrolluar. Kërkesat e fëmijëve janë shumë të larta, të familjes gjithashtu. Im shoq ishte në punë dhe nuk mund të ishte fizikisht në shtëpi”, thotë Naxhilda Bumi, administratore e “Biolife sh.p.k”
Sakrifica në kohën e koronavirusit, u është dashur të bëjnë dhe baballarët. Aurora Gega thotë: “Një ose dy herë në javë më ndihmon im shoq duke u alternuar në mbajtjen e fëmijëve”.
“Më ndihmon me ndonjë pazar apo dhe në shtëpi. Është normale”, shprehet Blerina Zerdja nga na tjetër. Nënave u është dashur të menaxhojnë dhe anën psikologjike të fëmijëve, të mbyllur në shtëpi për më shumë se 1 muaj, për shkak të një armiku që nuk duket.
Por, ndërsa për shkollat u bë e qartë se nuk do të hapen deri në shtator, ende nuk ka një vendim zyrtar për çerdhet dhe kopshtet, të cilat zakonisht qëndrojnë hapur dhe gjatë verës. (A2 Televizion)