
Pandemia e COVID-19 shtyn mësimin në universitete deri në tetor, ndërsa viti i ri akademik do të nisë në nëntor.
Ministrja e Arismit, Besa Shahini, ka pranuar se mësimi online nuk ka funksionuar për të gjithë studentët. Për këtë arsye, në muajin qershor, të rinjtë që diplomohen do të kthehen në auditorë për përseritje të ndryshme, seminare dhe laboratorë. Ndërsa provimet për këtë kategori studentësh do të mbahen në verë. Studentët e viteve të tjera do të kthehen në auditorë në fund të verës, kur të jenë mbyllur provimet e diplomimit.
Ministrja kërkoi nga universitetet që të zbatojnë të gjitha rregullat e higjienës dhe distancimit fizik. Shahini pranoi se universitetet private, për shkak të kushteve më të mira, këtë periudhë kanë qenë më të avancuar me mësimet online. Këto institucione do t’i vendosin vetë periudhat e provimeve por duke zbatuar me përpikmëri masat dhe distancimin fizik. Deri më 15 maj universitetet duhet të dorëzojnë planet e detajuara për kthimin e studentëve në godina, për organizimin e provimeve dhe rregulloren e higjienizimit. “Këtu përfshihet numri i saktë i studentëve, fashat e frekuentimit dhe metrat katrorë për sigurimin e distancimit social”, tha ajo.
Ministrja Shahini shtoi, gjithashtu, se pavarësisht vështirësive të lindura nga kriza shëndetësore e Covid-19, Pakti për Universitetin nuk do të preket. “Kemi vendosur të mos ndryshojmë asgjë nga përfitimet tuaja nga pakti për Universitetin. Po bëjmë sakrificë të madhe për të ruajtur këto benefite që i keni fituar me sakrificën tuaj”, tha ajo. (A2 Televizion)