Të paktën 280 viktima dhe 900 të lënduar nga përplasja e trenave në Indi

Nga A2 CNN
3 Qershor 2023, 08:30 | Bota

Të paktën 280 persona kanë humbur jetën dhe 900 të tjerë kanë mbetur të lënduar pas përplasjes së dy trenave me pasagjerë në shtetin Odisha të Indisë.

Ky është aksidenti më i rëndë hekurudhor që ka ndodhur në vend në thuajse 20 vite.  

Coromandel Express, që udhëton nga Kolkata në Bengalin Perëndimor për në Chennai, Tamil Nadu, po ecte me 130km/h kur u përplas me një tren të stacionuar mallrash rreth orës 19.00 të pasdites me orën lokale.

Disa vagonë të trenit të mallrave u përplasën më pas me dy vagonë të një treni tjetër pasagjerësh që po udhëtonte në drejtimin e kundërt.

Rajesh Kumar, zëvendësmenaxheri i lartë komercial i Hekurudhave Juglindore, tha se Coromandel Express kishte ndryshuar shinat, gjë që çoi në aksidentin fatal. Ndërkohë kanë nisur hetimet.

Bilanci i viktimave pritet të rritet teksa operacionet e shpëtimit vijojnë në vendin e ngjarjes. Në vendin e përplasjes, sipas raportimeve, ndodhen 200 ambulanca, 180 mjekë ndërsa 850 persona janë dërguar në spital. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos