
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar një mbledhje pasditen e së dielës, ku është miratuar një fond emergjence për banorët e prekur nga tërmeti i një dite më parë, i cili dëmtoi me qindra ndërtesa edhe në kryeqytet.
Fondi i miratuar është 1 milionë dollarë, ndërsa Veliaj bëri të ditur se 80 përqind e këtij fondi do të shkojë për të prekurit në kryeqytet, ndërsa 20 përqind e tij do të jepet si solidaritet për Bashkinë e Durrësit ku ishte edhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm me magnitudë 5.8.
Më herët, u mblodh edhe shtabi i Emergjencave Civile të Tiranës. Veliaj u shpreh se nëse do të ketë nevojë për strehim më të gjatë, atëherë të përdoren konviktet. “Të pastrohet një nga konviktet në Qytetin Studenti, të bëhet gati dhe ta kemi si plan rezervë”, tha Veliaj.
Në mbledhje u raportua gjithashtu se në kryeqytet janë dëmtuar pjesërisht 420 banesa, nga të cilat 63 pallate me dëmtime të ndryshme. Po ashtu janë dëmtuar edhe 4 objekte arsimore, që kanë pësuar çarje muresh e dëmtime të tjera. (A2 Televizion)