Proporcional kombëtar me lista100% të hapura dhe prag zgjedhor i ulët dhe i dakordësuar dhe me koalicionin siç ka qenë para se të ndryshohet kushtetuta. Është ky propozimi zyrtar i Partisë Demokratike, të cilin e bëri të ditur edhe në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, sipas të cilit Shqipëria të jetë një zonë elektorale e vetme siç është Kosova dhe Izraeli. Bylykbashi thekson se sipas këtij procesi deputeti është i fortë.
“Ose bëjmë zgjidhje të plotë të problemit, rikthimi i koalicionit me lista të përbërë. Çdo zgjedhës të ketë të drejtë të votojë partinë që do. Partitë do marrin mandatin mbi bazën e votës së vet dhe më pas lista e hapur për 100% për zgjedhjen e kandidatëve nga i pari tek i fundit. Kjo për zgjedhjet parlamentare, por edhe lokale por me një sistem proporcional kombëtar që Shqipëria është një zonë e vetme siç është Kosova e Izraeli. Nuk është sistem që përdoret shumë. Koalicioni i partisë do ketë një listë të vetme dhe jo më pak se 5 emra për të votuar. Ka difektet e veta, për ata që thuhet se shkëputet deputeti nga elektorati i një zone, por deputeti merr vota nga Vermoshi në Konispol, nga e gjithë Shqipëria. Parlamenti ka detyrë të emancipojë politikisht me sjelljen e tij që nuk duhet të ketë banditë, apo deputetë që kanë miq kriminelët. Nëse lidershipi i partisë nuk bën një filtër të kujdeshëm. Është çështje morali. Një proces heq kontrollin nga lideri politik dhe deputeti është më i fortë, por këto janë zgjedhje”, deklaroi Bylykbashi në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.
Përkundër këtij propozimi, Bylykbashi tha se Rama kërkon që nga viti 2007-2008 kërkon që të marrë pushtetin me mandate që nuk vijnë nga vota.
“Ai do që të marrë pushtetin me një numër mandatesh të cilat nuk vijnë nga vota, por vijnë nga fakti vetëm se ke një mandat më shumë sesa tjetri. Kjo nuk është demokratike. Për një mazhorancë është një gjë që nëse ka qenë dikush që përdoret tani është pothuajse në zhdukje si koncept. Njerëzit po kërkojnë proporcional kombëtar me lista 100% të hapura. Kjo është që sot është dhe thirrje dhe në rrugë dhe ne duhet t'i përgjigjemi atyre njerëzve”.
I pyetur nëse a ka komunikuar me Damian Gjiknurin, bashkëkryetarin e reformës zgjedhore, Bylykbashi tha se deri në këto momente nuk shikon gatishmëri nga mazhoranca. Sipas tij vetëm ndarja e partisë nga shteti garanton zgjedhje të lira.
“Unë kam kërkuar që të ketë mbledhje dhe do ta formalizoj që të kemi mbledhje të vazhdueshme përgjatë javëve në vijim. Deri tani nuk shoh gatishmërinë. Kërkojnë që të ulemi në grupe të mbyllura për të diskutuar, për të rënë dakord se jo në këtë fazë dhe për këto çështje po diskutojmë. Debati sa më publik, aq më i shëndetshëm është. Do rikthehem pak tek ajo që propozuam sot neve. Ndarja e partisë nga shteti është që ajo do garantojë zgjedhjet e lira. Administrata publike një nuk duhet të jetë nën presion dhe as përdoret si sistem patronazhimi”.
(A2 Televizion)