
Të rinjtë në vendin tonë vazhdojnë të përdoren nga politika si fasadë në varësi të interesave. Ky është konstatimi i drejtueses së Qendrës Rinore në Vlorë, tri dekada pas protestës së studentëve për të drejtat e tyre dhe për një Shqipëri Europiane. Sot, pas tridhjetë vjetësh, të rinjtë janë të dyzuar, nëse duhet të qëndrojnë apo të largohen nga vendi.
Tridhjetë vjet pasi studentët u ngritën për të drejtat e tyre dhe për një Shqipëri Europiane, janë pikërisht kjo shtresë vitale e vendit, që ndodhet e pashpresë për të ndërtuar shkollimin dhe punësimin e tyre në vend. Ende pas tridhjetë vjetësh, drejtuesit e qendrave rinore mendojnë se duhet të jenë pikërisht këta të rinj që duhet të marrin fatin e tyre në dorë. Për drejtuesen e qendrës rinore në Vlorë, të rinjtë në vendin tonë përdoren thjesht si fasadë e politikës, kur kjo e fundit ka interesat e veta.
Nga ana tjetër, vetë të rinjtë shikojnë si zgjidhje të shkollimit atë jashtë vendit edhe pse dëshirën e kanë që të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre.
Me urimin që kjo dëshirë të mos venitet me kalimin e viteve, për sa kohë ka të rinj, ka edhe shpresë për këtë vend. (A2 Televizion)