
Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë nga të shtënat në një fabrikë Mercedes-Benz në Sindelfingen, në Gjermaninë jugore. Sipas policisë autori është arrestuar dhe nuk ka më asnjë rrezik për punonjësit në uzinë.
Prokurorët thanë se personi i arrestuar ishte një 56-vjeçar, i cili besohej se kishte vepruar i vetëm.
Të shtënat u dëgjuan rreth orës 07:45 të mëngjesit me orën lokale. Policia shkroi në Twitter rreth një orë më vonë se një operacion që përfshinte policinë dhe punëtorët e shpëtimit po vazhdonte në kompleksin e fabrikës, rreth 15 kilometra në jugperëndim të Shtutgartit. Autoritetet konfirmuan se një i dyshuar ishte dërguar në paraburgim.
Punonjësit raportuan se vendi i ngjarjes ishte Fabrika 56 e autoprodhuesit, ku prodhohet edhe S-Class.
Kompania konfirmoi se kishte pasur një incident në fabrikë dhe se ishte në kontakt me autoritetet, por nuk dha më shumë detaje. (A2 Televizion)