Tensionet me Greqinë, Erdogan: Tërhoqëm anijet për t’i lënë vendin diplomacisë

Nga A2 CNN
18 Shtator 2020, 16:55 | Bota
Tensionet me Greqinë, Erdogan: Tërhoqëm anijet për t’i

Presioni i Bashkimit Europian funksionoi. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan konfirmoi tërheqjen e anijes eksploruese për gaz dhe naftë në ujërat e kontestuara të Mesdheut Lindor, për t’i lënë vendin zgjidhjes diplomatike me Greqinë dhe Qipron.

Athina ka përshëndetur këtë veprim të Ankaras që duket se do të shmangë sanksionet e paralajmëruara nga Brukseli. Megjithatë, Erdogan paralajmëron se operacionet kërkimore do të vazhdojnë së shpejti.

“Tërheqja e anijes për mirëmbajtje ka një kuptim domethënës dhe i jep një shans diplomacisë dhe tregon një sjellje pozitive. Por kjo nuk nënkupton fundin e kërkimeve tona. Pasi të mbarojë mirëmbajtja, anija do të rikthehet sërish në detyrë dhe do të rifillojë operacionet kërkimore”, tha Erdogan.

Vendet anëtare të NATO-s, Turqia dhe Greqia kanë mosdakordësi të mëdha lidhur me të drejtën e eksplorimeve detare në kërkim të pasurive nënujore në Mesdheun Lindor.

Tensionet mes palëve arritën kulmin disa javë më parë, teksa në lundrim u vendosën edhe disa luftanije. Për të qetësuar gjakrat ka ndërhyrë dhe NATO, duke mbajtur një tryezë dialogu mes krerëve ushtarakë të Turqisë dhe Greqisë. Synimi është të shmanget një përplasje e mundshme ushtarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos