
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka bërë thirrje partive politike "për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre".
"Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politikë për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre. Duhet mbajtur në vëmendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në cenimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë", lexohet në komunikatën e KQZ-së.
"Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi. Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit. Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurrentët e tyre. Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike", shton KQZ-ja. (A2 Televizion)