
Mbrëmjen e 5 shkurtit një vajzë e re shkoi të flinte duke ëndërruar për momentin kur do mbante në krahë fëmijën e vet. Edhe pak i kishte mbetur derisa krahët t’i mbusheshin me jetë. Përkëdheli barkun pa e ditur se krijesa që po lëvizte do të lindte në rrënojat e një jete ku ajo nuk do ta përkëdhelte kurrë.
Pak më tutje, prindërit po flisnin për pushimet, ndërsa fëmijët shkuan në shtrat duke ëndërruar si do të ndërtonin kala prej rëre, pa ditur se streha e tyre do të rrënohej bashkë me ëndrrat.
Miliona studentë në botë fjetën pa telefonuar prindërit, që i kishin lënë në shtëpitë e vjetra bashkë me përpjekjen e tyre për të shkolluar fëmijët.
Miliona mesazhe jete të lëna përgjysmë nga tronditje toke.
Shumë prej tyre prisnin alarmin e radhës për të kënduar lutjet në qetësinë e shtëpisë, mëngjesin e 6 shkurtit. Me zbardhjen e parë të kësaj dite, lutjet jehonin mes ulërimave, gjakut, barkut që bëhej gati të sillte jetë në rrënoja, por që iknin vetë nga ajo botë ku dhembja ulërin për fëmijë që shpëtojnë po s’dinë ende të flasin e të thonë foshnjat e kujt janë, për prindër që gëzojnë me dënesë për djalin e shpëtuar, por që me kujë kujtohen edhe për vajzën e pagjetur; gjyshe që qajnë fëmijën por, lëkundin amanetin.
Këto janë pamjet që gjithë bota po përcjell sot nga rrënojat e mijëra familjeve që sot shpirti i vërtitet në shkatërrimin që shënjoi jetët e tyre atë mëngjes.
Pamje të tilla dërgojnë në redaksinë e A2 CNN.
“Ndodhemi këtu te dengu me lodra e ditarë fëmijësh. Nata ka qenë e vështirë”, raporton gazetari Jul Kasapi.
Është e vështirë të mos prekesh kur sheh dy vajza të reja të lëkundin në një batanije një fëmijë. Djepi apo shtrati i parë i blerë mes ëndrrave është shkatërruar. E kush e di ku është babai i fëmijës?
Ditari i këtyre ditëve të ftohta deri në palcën e shpirtit duhet raportuar nga makina. Kujdesur që lëkundjen e radhës të jesh mjaftueshëm larg nga ndërtesa që mund të rrënohet në sekonda para syve të tu.
Përpjekja për gjetjen e të mbijetuarve vijon edhe në ditën e tretë të kësaj tragjedie, kur numri i atyre që kanë humbur jetën gjatë këtij tërmeti ka kaluar 11 mijë.
Ende ka shpresë…Sepse ka ende dashuri për të treguar, sepse ka ende fëmijë për të rritur, sepse lutjet vijojnë të jehojnë, sepse ata që nuk shkojnë dot larg shtëpisë tyre të prishur besojnë vërtet se në rrënoja frymë jete ka. Sepse e gjithë bota po tregon se Muhameti i vogël mund të pijë nën rrënoja ujë, po aq sa edhe mund të derdhë lot, lot që i thonë gjithë botës se nuk është koha për të ikur…. (A2 Televizion)