Mbi 11 mijë viktima nga tërmeti, Erdogan viziton zonat e prekura, zemërim për reagimin e ngadaltë

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 16:08 | Bota
Mbi 11 mijë viktima nga tërmeti, Erdogan viziton zonat e prekura,

“Duhet të gjejmë të gjallët…!” Më këtë mendim të vetëm në kokë, ekipet e shpëtimit kanë vijuar pa u ndalur kërkimet e dëshpëruara në godinat e rrafshuara nga tërmetet apokaliptike të së hënës, në Turqi dhe Siri. Bilanci i viktimave i ka tejkaluar 11 mijë; më gati 8600 mijë trupa që janë gjetur nën rrënoja në Turqi, ndërsa në Siri numërohen mbi 2600 të vdekur. Në Turqi, shumë njerëz kaluan një tjetër natë nëpër rrugë e makina, me shumë prej tyre që ankohen për reagimin e ngadaltë të Autoritetit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Katastrofave.

“Shtëpia jonë u zhduk. Kemi fjetur përdhe, në shi. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë; as çaj të ngrohtë për të pirë madje. Zoti na ndihmoftë”.

Presidenti Rexhep Taip Erdogan vizitoi të mërkurën zonat e prekura ndërsa në vend, rritet zemërimi për atë që po perceptohet si dështim i qeverisë për t’u përgatitur e për të reaguar ndaj kërcënimeve të tilla. Shumë qytetarë rrëfejnë se kanë gërmuar vetë me duar për të shpëtuar familjarët e bllokuar në rrënoja, ndërsa ekipit e kërkim-shpëtimit nuk kanë arritur dot në të gjitha zonat e prekura.

Erdogan pranoi se ka pasur vështirësi në reagimin fillestar, por fajësoi për vonesat rrugët dhe aeroportet e dëmtuara.

“Të gjitha institucionet shtetërore janë angazhuar. Ditën e parë, përjetuam disa problematika por tani e kemi situatën nën kontroll”, u shpreh presidenti turk.

Situata është veçanërisht shqetësuese në Siri, ku nevojat humanitare ishin tepër të larta edhe para tërmetit, pas konfliktit 12-vjecar që ka gjunjëzuar vendin…

25-vjecari nga Alepo, Jusuf, thotë se kishte dëgjuar zërin e familjarëve të tij nën rrënoja, por askush nuk i kishte nxjerrë prej andej.

“Kam folur me ta, ua kam dëgjuar zërin; por fatkeqësisht siç mund të shihni punimet janë shumë te ngadalta dhe nuk ka shumë pajisje”.

Me emocion dhe brohorima sakaq, u shoqërua momenti kur një familje e tërë u nxor e gjallë nga rrënojat e një pallati të shembur në Bisina të Sirisë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/08/xhacka-nuk-ka-informacione-per-shqiptare-te-prekur-nga-termeti-ne-turqi/
https://a2news.com/2023/02/08/ndodh-mrekullia-48-ore-nga-termeti-anetaret-e-nje-familjeje-nxirren-te-gjalle-nga-rrenojat/

A2 CNN Livestream

Latest Videos