Tërmetet në Turqi, opozita akuzon Erdogan

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 13:06 | Bota
Tërmetet në Turqi, opozita akuzon Erdogan

Zemërimi është duke u rritur ndjeshëm në Turqi në lidhje me paaftësinë e qeverisë për të reaguar pas situatës së krijuar pas tërmeteve të fuqishme të së hënës.

Numri i viktimave vijon të rritet nga ora në orë dhe njerëzit duket se po shprehin pakënaqësi nga deklaratat dhe premtimet e presidentit Erdogan.

Shumë njerëz në zonat më të prekura nga lëkundjet sizmike deklarojnë se kanë parë një reagim të ngadaltë dhe mungesë kapacitetesh nga ana e Autoritetit të Menaxhimit të Emergjencave.

Në një rast në qytetin port të Iskenderun, një familje tregon se 2 mbesat kanë mbetur në rrënoja dhe se kanë pajtuar një mjet për të ndihmuar, por nuk lejohen nga autoritetet, të cilët nuk kanë kapacitete për të ndihmuar njëkohësisht të gjithë njerëzit në vështirësi.

Akuza të drejtpërdrejta për presidentin Erdogan për këtë situatë të krijuar bëri dhe lideri i partisë kryesore të opozitës, Kemal Kilicdaroglu.

Sipas tij, qeveria nuk ka bërë asgjë më herët për t’u përgatitur për raste emergjente.

Aktualisht, presidenti Erdogan ka shpallur gjendjen e emergjencë për 3 muaj në 10 provincat më të prekura, e cila përfundon pak para zgjedhjeve të 14 majit, ku 68 vjeçari do të kërkojë një tjetër mandat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos