Territorialja, Denaj: Në shtator dalim me përfundime. Andoni: Të kalojmë te rajonet

Nga A2 CNN
21 Korrik 2022, 20:37 | Politikë
Territorialja, Denaj: Në shtator dalim me përfundime. Andoni: Të

Reforma territoriale dhe ajo zgjedhore pritet të jenë vëmendja politike e vjeshtës, ndërsa opozita mbetet e përçarë në këtë drejtim.

Oerd Byklykbashi dhe Ivi Kaso akuzuan kolegët e tyre demokratë në komisionin e posaçëm të reformës territoriale se po bëjnë pazare me Ramën. Ata thanë se Rama synon të kthejë rajonet dhe primin me qëllim të fitojë pushtetin në tavolinë. Afati për përfundimin e reformës territoriale është fundi i muajit shtator.

Ndërkohë, qeveria nuk heq dore nga një tjetër nisme e saj, ajo për amnistinë fiskale pavarësisht se po kundërshtohet nga opozita dhe ndërkombëtarët.

Për këto u diskutua mbrëmjen e së enjtes në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ku e ftuar ishte Anila Denaj, bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

“Janë 42 dëgjesa dhe në muajin shtator ne do të dalim me një përfundim. Në dy muaj ne do të bëjmë 42 dëgjesa dhe do të dalim në përfundime. Bashki të mëdha dhe të vogla kanë diferenca. Ka një autonomi financiare, por kjo i bën disa bashki të vogla që të mos kenë të ardhura të mjaftueshme. Hapi i dytë është shërbimi dhe mbulimi i territorit. Ne vijmë me një përmirësim infrastrukture, por edhe shërbim të centralizuar përmes platformave të komunikimit. Ka një program që në Ministrinë e Brendshme që lidhet me decentralizimin dhe ne do ë na duhet më shumë kohë se si shkon ky shërbim që do të ndihmonte edhe këto bashki. E treta ka të bëjë me përfaqësimin dhe të tria këto kanë dalë nga dëgjesat.

Ky komision do të dalë me rekomandime shumë të rëndësishme për të përmirësuar çdo gjë që është sjellë nga dëgjesat”, tha Denaj.

Por nga doli nocioni i rajoneve?

“Bylykbashi mund të kishte dëgjuar se disa përfaqësues nga shoqëria civile janë thirrur dhe kanë punuar drejtpërdrejtë me reformën. Ka ardhur si diskutim. Ne sot, nga 42 ftesë për dëgjesa kemi lënë vetëm një të tretën. Të gjithë këto elementë nuk janë çështje që i sjell politika, por nga institucione jo partiake”, tha Denaj.

Ndërkohë, për analistin Ben Andoni duhet të shkojmë te rajonet. “Në pushtetin lokal ekzistojnë projekte që administratat e rajoneve të bashkive përkatëse nëse zgjedhin staf të mirë, veç buxhetit të shtetit, nëse bëjnë projekte efikase mund të ndërhyjnë direkt në Bruksel”, tha Andoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos