Tha se nuk do të hiqte veton ndaj RMV-së, Meta uron presidentin bullgar për rizgjedhjen

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2021, 15:20 | Politikë
Tha se nuk do të hiqte veton ndaj RMV-së, Meta uron presidentin

Bullgaria vazhdon të këmbëngulë për veton ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Presidenti bullgar, Rumen Radev, në deklaratën e tij të dhënë pas fitores deklaroi se qeveria e re nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj Shkupit.

Pavarësisht kësaj deklarate, presidenti Ilir Meta e ka uruar homologun e tij bullgar për fitoren. “Rizgjedhja juaj si President i Bullgarisë, më jep kënaqësinë e veçantë, që në emër të popullit shqiptar dhe emrin tim personal, t’ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit tuaj në drejtimin e Republikës së Bullgarisë.

Shpreh besimin se gjatë mandatit tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen”, shkruan Meta në Facebook.

Më tej, Meta shpreh mirënjohjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas Metës.

https://a2news.com/2021/11/22/presidenti-bullgar-konfirmon-veton-per-maqedonine-e-veriut-peng-edhe-shqiperia/

“Jam i bindur se falë vullnetit, vizionit dhe vlerave të përbashkëta euroatlantike marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm ato politike, do të fitojnë një dinamikë të re, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit infrastrukturor.

Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Europës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s. 

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal. 

Së bashku me urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President i Republikës së Bullgarisë, dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Bullgarisë, ju lutem pranoni Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, mbyllet reagimi i Metës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos