Koronavirusi në Itali, 7 viktima, mbi 230 të prekur, shënohet rasti i parë në jug

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2020, 10:02 | Bota
Koronavirusi në Itali, 7 viktima, mbi 230 të prekur, shënohet

Shkon në 7 viktima dhe 232 të prekur bilanci i koronavirusit në Itali. Ndërsa, në rajonin e Lombardisë, i cili rezulton të jetë dhe vatra kryesore, janë shënuar 173 raste dhe 6 viktima. Të tjerat në Emiglia Romagna, Piemonte, Lacio, Alto Adige dhe Sicilia.

Një grua nga Bergamo rezultoi pozitive me virusin në Palermo, duke u bërë rasti i parë në jug të vendit. I infektuar gjithashtu një mjek italian në Tenerife.

Pas një mbledhje për koordinimin e emergjencës në pallatin Chigi, kryeministri Giussepe Conte, tha se mos ndjekja e protokollit në spital në zonat e rrezikuara, ka ndikuar në daljen e situatës jashtë kontrollit dhe përhapjen e virusit. 

“Nuk mund të parashikojmë se si do të përhapet virusi. U krijua një vatër dhe që prej atje u përhap, për shkak të moszbatimit të protokolleve në një strukturë spitalore”, u shpreh kryeministri Conte.

Ndërkaq, Mbrojtja Civile konfirmoi se nuk ka vatra të reja, përpos atyre ekzistuese. Një sërë kufizimesh që prekin rreth 100 mijë njerëz janë njoftuar në pjesë të Lombardisë dhe Venetos, përfshirë kryeqendrat e këtyre rajoneve Milano dhe Venecia.

Ndërsa autoritetet kanë mbyllur shkollat, universitetet, muzetë dhe kanë ndaluar grumbullimet publike rreth veriut të Italisë. Analistët paralajmërojnë se epidemia, e përqendruar në zemrën financiare dhe industriale të vendit , mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e brishtë të vendit, aktualisht në recesion.

Italia shënoi një rënie prej gati 5 për qind në tregjet elektronike, ndërsa shumë biznese janë goditur rëndë. Një grup ekspertësh nga OBSH dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mbërriti të hënën në Itali për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve lokale.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos