
Thatësira po e detyron vendin të shpenzojë miliona euro për të blerë energji elektrike, me një çmim dyfish më të lartë se sa vitin e kaluar. Çmimi mesatar për MWh në bursën hungareze të energjisë arriti në 95 euro gjatë korrikut dhe kapërceu në 110 euro për MWh gjatë gushtit, ndjeshëm më lart se çmimet e një viti më parë për të njëjtën periudhë.
Eksperti për çështjet e energjisë, Lorenc Gordani, liston faktorët që po mbajnë lart çmimet: “Ka rritje çmimi dy muajt e fundit, por kjo vjen për shkak të thatësirës”.
Një situatë e ngjashme thatësire u evidentua edhe vitin e kaluar, por çmimet qëndruan të ulëta për shkak të situatës së pandemisë. Këtë vit, ndezja e motorëve të ekonomisë botërore solli edhe një rritje të kërkesës për energji.
Të dhënat e Operatorit të Shpëndarjes së Energjisë tregojnë se deri më tani, janë importuar 311 GWh energji elektrike, për një vlerë totale prej 38 milionë eurosh. Ndërkohë që një vit më parë, u importua 4 herë më shumë, me një cmim 2,6 herë më të ulët, për një kosto totale prej 60 milionë eurosh.
Sipas Gordanit, nëse Shqipëria do ta kishte sot funksionale bursën e energjisë këto çmime do të mund të ishin më të ulëta, si pasojë e rritjes së konkurrencës dhe planifikimit më të mirë. (A2 Televizion)