
Duke iu referuar ecurisë negative të defiçitit, situatës ekonomike si dhe projeksioneve për popullsinë, njohës të fushës parashikojnë një situatë aspak pozitive në skemën e pensioneve.
Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, argumenton se në rast se nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente dhe me politika të mirëmenduara, në një dekadë, raporti mes kontribuesve dhe përfituesve mund të barazohet duke rrezikuar seriozisht skemën e pensioneve.
Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço tha për A2 CNN: “Në vitin 2030, duke parë projeksionet e popullsisë, do të shikojmë që në skemën e pensioneve, kontribuesit me përfituesit do të jenë në një raport gati 1 me 1,1. Nëse nuk ndërhyjmë, skema do të plasë”.
Por, si mund të frenohet ky trend negativ?
“Nëse nuk rrisim punësimin në mënyrë të ndjeshme, nëse nuk shkojmë drejt rritjes së pagave, jo me ligj dhe rrogë minimale, por të stimulojmë rritjen e konkurrencës dhe produktivitetit, kjo do të çonte në rritjen natyrale të pagave. Vetëm kjo është zgjidhja”, tregon Muço.
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, diferenca mes shpenzimeve për pensionet dhe të ardhurave që përftohen nga kontributet e individëve, njohur edhe si deficit buxhetor, arriti në 12,6 miliardë lekë ose 23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku ky tregues ishte 10.3 miliardë lekë. (A2 Televizion)