
As shtimi i të ardhura apo rritja e pagës minimale nuk kanë penguar deficitin e skemës së pensioneve që të zgjerohet më tej.
Gjatë 6-mujorit të parë të vitit, deficiti i skemës së pensioneve, pra raporti i shpenzimeve që nuk u mbuluan dot nga të ardhurat, arriti në 12,6 miliardë lekë ose 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku deficiti i skemës ishte 10.3 miliardë lekë.
Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 180 mijë kontribuues të rinj që nga kjo periudhe.
Ekspertët argumentojnë se nisur nga projeksionet demografike, në 2030-n raporti mes kontribuesve dhe përfituesve nga skemat e pensioneve do jetë në raport thuajse të njëvlefshëm, duke përkeqësuar gati në pamundësi skemën e pensioneve në vend.
Duke pranuar se as shtimi i kontribuesve e as rritja e pagës minimale nuk arriti të amortizojë “gropën” në skemën e pensioneve, ekspertët thonë se vetëm punësimi mund të jetë një zgjidhje për situatën e krijuar. (A2 Televizion)