
Prodhimi i energjisë elektrike në vend gjatë periudhës Janar-Qershor u rrit me 2,2 herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, në 6 muaj, hidrocentralet publike, së bashku me ato privatë dhe koncesionet, prodhuan 6 teravatë energji elektrike, po aq sa në vitin 2018, i fundit kur vendi ishte eksportues neto i energjisë.
Sipas meteorologes Dr. Tanja Porja, ishin reshjet e fillimvitit ato që ndikuan në prurjet e bollshme të hidrocentraleve.
Falë prodhimit më të lartë se konsumi gjatë gjysmës së parë të vitit, Shqipëria arriti të eksportojë dhe shkëmbejë energji në vlerë e 2,070 GWh, duke importuar kryesisht në muajt Maj-Qershor rreth 327 GWh energji. Ky bilanc pozitiv i eksporteve mund të mjaftojë për ta kthyer Shqipërinë këtë vit sërish në një eksportues neto.
Që prej vitit 2000, Shqipëria ka qenë vetëm tre herë eksportues neto i energjisë: në 2010, 2016 dhe 2018. Prodhimi i energjisë thuajse 100% nga hidrocentralet bën që vendi ynë të ketë një varësi të lartë nga moti. Arsye pse synohet me ngulm diversifikimi i energjisë, me shtimin e impianteve diellore dhe eolike. Por, këto burime të rinovueshme përbëjnë vetëm 0,3% të energjisë së prodhuar deri më tani. (A2 Televizion)