
Edhe pse janë muaj të vështirë, ku çdo gjë është ndalur për shkak të pandemisë së Covid-19, për portierin e kombëtares Thomas Strakosha interesimi vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm, ku e ardhmja e tij është vënë në mes të dëshirës së shumë klubeve, apo rinovimit të kontratës nga Lazio.
Por edhe pse mediat italiane nuk ka ditë mos të kenë lajm për 25-vjeçarin, vetë një nga lojtarët me vlerën më të madhe të kartonit nën ngjyrat kuqezi këmbëngul se dëshiron të vazhdojë sa më gjatë te klubi nga kryeqyteti italian.
“E kam thënë gjithmonë, jam shumë i lumtur te Lazio. Jam i kënaqur edhe nga klubi, ekipi, tifozët. Ndihem si në shtëpinë time, jam shumë afër nga Shqipëria dhe Greqia, ku kam lindur, prandaj dua të vazhdoj te Lazio”, thotë ai në një intervistë për A2.
Por si po e kalon karantinën gardiani i portës kuqezi, ndërkohë që si sportist i duhet të mendojë edhe se si të mbajë formën e tij, në një kohë kur çdo gjë është e mbyllur dhe e pezulluar? “Po e kaloj në Romë, në shtëpinë time. Nuk mund të lëvizim shumë, vetëm për gjërat kryesore”.
Trajneri personal mbetet në këtë rast babai i tij, Foto, gjithmonë i rreptë sipas Thomas, madje si dukur kur ai ishte fëmijë. “Po bëj shumë palestër, dhe pak stërvitje me babin, që akoma bërtet. Po përpiqem të mbahem në formë”.
Futbolli, fusha, stadiumi, klubi, shoqëria e gjithçka në këto kohë pandemie kanë më shume vlera. “Futbolli më mungon shumë sepse është jeta ime. Edhe shokët e ekipit se jemi bërë si familje. Më mungon shumë normaliteti, por tani gjëja kryesore është të rrimë në shtëpi”.
Serie A me të gjitha gjasat do të fillojë në fund të majit, por për portierin shqiptar e rëndësishme është të kalohet kjo kohë e vështirë kur njerëzit humbasin jetën dhe të fitohet lufta ndaj virusit. “Në Itali akoma nuk dihet kur mund të vazhdojë, por për mua nuk ka rëndësi fare. Tani shikoj çdo ditë në lajme që njerëzit po humbasin jetën, janë shumë keq në spital. Prandaj për mua gjëja më e rëndësishme është ta kalojmë situatën dhe pastaj të gëzojmë të gjithë bashkë në fushën e blertë”, thotë Strakosha. (A2 Televizion)