Tifozi më fanatik i Manchester United hap muzeun me 33 mijë suvenire

Nga A2 CNN
26 Maj 2020, 15:41 | Futboll

Kanë kaluar 21 vite nga një prej finaleve më të çmendura të Champions League, kur Manchester United shënoi dy herë në kohën shtresë duke përmbysur rezultatin në finalen kundër Bayern Munchen. E për të festuar atë rezultat historik, një tifoz tepër i veçantë i “Djajve të Kuq” ka vendosur të hapë një muze me 33000 suvenire të gjitha të kushtuara klubit të tij të zemrës.

Deri këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. E veçanta qëndron në faktin se muzeu nuk është në ndonjë pub në qytet, por mijëra kilometra nga “Old Trafford”, në Helsinki. Jere Virtanen ka mundur të mbledhë përgjatë viteve mijëra fanella dhe suvenire të tjera, duke filluar me një bluzë të skuadrës së zemrës, kur ishte vetëm 5 vjeç.

Tani, ai po përgatitet për të hapur muzeun, të quajtur “Dhoma e kuqe”, në një godinë në qendër të Helsinkit. “Kam 20 vite që koleksionoj suvenire nga Manchester United, shtëpinë e kam plot, zyrën plot dhe shtëpinë e prindërve plot”, tha Virtanen për CNN Sport.

Mes suvenireve më të çmuara është një fanellë e Roy Keane, një dekantues vere që shënon 25-vjetorin e triumfit në Kupën e Kampionëve 1968 dhe disa objekte që datojnë që para themelimit të klubit, si Newton Heath L&YR në vitin 1878.

Lojtari i tij i preferuar është George Best, i cili gjithashtu vlerësohet si një ndër më të mirët në botë nga ekspertët e futbollit.

“Dhoma e kuqe” do të duhej të ishte hapur në mars, por për shkak të pandemisë së koronavirusit u shty. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos