
Tirana për t’u konfirmuar kampione e Shqipërisë. Bardheblutë kanë shansin të sigurojnë matematikisht këtë javë trofeun e 26 të titullit kampion. Kryeqytetasit përballen me Laçin në transfertë në duelin e vlefshëm për javën e 31. Aktualisht, kryeqytetasit e shohin veten 15 pikë larg kurbinasve kur kanë mbetur dhe 6 ndeshje nga fundi.
Duel interesant është dhe derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit në Elbasan Arean. Objektivi për një vend në Europë nuk është blinduar ende nga të kuqtë, ndërsa Dinamo kërkojnë mrekullinë për të shpëtuar nga rënia. Për këtë arsye, kjo ndeshje mund të jetë vendimtare për dy skuadrat nga kryeqyteti.
“Më ekipet që kanë qenë sipër kemi bërë shumë mirë, ndërsa me skuadrat që kanë qenë më poshtë në tabelën e renditjes kemi gabuar. Janë gjashtë ndeshje deri në fund të kampionatit, ne duhet të japim maksimumin që të marrim pikët e plota ndryshe Europa do të jetë shumë larg. Duhet të shpresojmë që Kupën ta fitojë Laçi dhe ne të përfitojmë nga vendi i katërt, por edhe vendi i katërt nuk është i sigurt. Të gjitha ndeshjet do të jenë një finale për ne”, tha Fatjon Tafaj, zëvendëstrajneri i Partizanit.
Në ndeshjen tjetër, Teuta kërkon të blindojë qëndrimin në Superligë dhe këtë javë përballet me Kukësin në Niko Dovana. Verilindoret kane siguruar 3 pikë në 4 ndeshjet e fundit ndërsa te bregdetaret është rifituar besimi pas fitores minimale me Dinamon javën e kaluar. Dy ndeshjet e fundit janë programuar për të shtunën. (A2 Televizion)