
Një tjetër incident është regjistruar, ditën e premte, në veri të Kosovës, ku protestuesit serbë kanë tentuar të hyjnë në ambientet e komunës së Leposaviçit me dhunë.
Protestuesit i janë afruar rrethimit pranë ndërtesës së komunës, por nuk janë lejuar nga forcat hungareze të KFOR-it.
Situata ka qenë e nxehtë për disa momente, por më pas është qetësuar pa asnjë pasojë.
Sipas të dhënave, protestuesit serbë reaguan pasi morën vesh se në ambientet e komunës ndodhej ministri për Komunitete, Elbert Krasniqi dhe pritej të shkonte dhe nënkryetarja e institucionit Dragana Miletiç.
Një ditë më parë, DASH dhe Britania e Madhe parashtruan edhe njëherë kërkesën ndaj autoriteteve të Kosovës, që 4 krerët e komunave ta ushtrojnë detyrën në godina alternative. (A2 Televizion)